Mëso çdo ditë gjera të reja...
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
Kërko
 
 

Display results as :
 


Rechercher Advanced Search

Free counter and web stats free counters
Similar topics
Tema Fundit
» Bilderberg meeting 2015- list of participants
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptyWed Jun 10, 2015 9:15 am nga Admin

» Kronologji e sulmëve të NATO-së
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptyWed Mar 25, 2015 9:27 am nga Admin

» Berisha dorëzon në polici dosjen e dytë të fakteve për skandalet e arsimit në Prizren
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptyThu Mar 05, 2015 7:30 am nga Admin

» Shanset e kosovarëve për azil në Gjermani janë zero
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptyThu Feb 05, 2015 10:40 am nga Admin

» Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptySun Feb 02, 2014 12:15 pm nga Admin

» Si mund ta bëjmë jetën tonë më të mirë thjesht duke bërë gjërat e duhura.
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptySun Feb 02, 2014 12:14 pm nga Admin

» Fatura e jetës
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptyTue Jan 21, 2014 11:38 pm nga Admin

» Kush je ti?
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptyMon Dec 30, 2013 12:39 pm nga Admin

» Fjalë të mrekullueshme
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptyMon Dec 30, 2013 12:30 pm nga Admin

» Letra e Abraham Lincoln për mësuesen e djalit të tij
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptySun Dec 22, 2013 10:35 am nga Admin

» Profesori dhe vazoja.
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptyTue Aug 06, 2013 11:46 pm nga Admin

» Ka ndodhur në Kinë.
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptyTue Jul 30, 2013 11:31 pm nga Admin

» Njëqind flamurë pa një
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptySat May 25, 2013 9:40 pm nga Admin

» Çfarë bëjnë femrat e çfarë meshkujt ?!
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptyMon May 06, 2013 10:58 am nga Admin

» Protestë në përkrahje të Luginës së PRESHEVËS
 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  EmptyTue Jan 22, 2013 7:26 pm nga Admin

Sondazh

HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT

Shko poshtë

 HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT  Empty HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT

Mesazh nga Admin Sat Mar 12, 2011 8:46 pm


I. HYRJE NË SISTEMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT
DINJITETI NJERËZOR
TË DREJTAT E NJERIUT
ARSIMIMI PËR TË DREJTAT E NJERIUT
SIGURIA NJERËZORE
>> Kultura e të drejtave të njeriut nxjerr fuqinë e saj më të madhe nga parashikimet e
paraqitura të çdo individi. Përgjegjësia për mbrojtjen e të drejtave të njeriut bie mbi
shtetet. Mirëpo, ato që u japin të drejtave të njeriut strukturën e tyre ditore dhe
qëndrueshmërinë e tyre të vazhdueshme janë, të kuptuarit, respektimi dhe parashikimet e
çdo personi idividual për të drejtat e njeriut.<<
SERGIO VIEIRA DE MELLO, KOMESAR I LARTË I KOMBEVE TË
BASHKUARA PËR TË DREJTAT E NJERIUT, 2003
A. KUPTIMI I TË DREJTAVE TË NJERIUT
Aspirata për të mbrojtur dinjitetin njerëzor të të gjitha qenieve njerëzore, paraqet thelbin e
konceptit për të drejtat e njeriut. Kjo aspiratë e vë qenien njerëzore në qendër të interesit.
Kjo aspiratë është e bazuar në sistemin e përbashkët universal të vlerave të përkushtuara
të të drejtës për jetë, si një e drejtë e paprekshme, dhe ofron një kornizë për ndërtimin e
sistemit të të drejtave të njeriut, të mbrojtur nga normat dhe standardet e pranuara
ndërkombëtarisht. Gjatë shekullit XX, të drejtat e njeriut janë zhvilluar si formulime
morale, politike dhe ligjore dhe udhërrëfyese për zhvillimin e një bote të lirë nga frika
dhe skamja.

Neni 1 i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (UDHR), të miratuar nga
Kombeve të Bashkuara në vitin 1948, u referohet shtyllave kryesore të sistemit të të
drejtave të njeriut, të cilat janë liria, barazia dhe solidariteti. Liritë, siç janë liria e
mendimit, ndërgjegjes, besimit, sikurse edhe ajo e opinionit dhe shprehjes, janë të
mbrojtura nga të drejtat e njeriut. Ngjashëm, të drejtat e njeriut garantojnë barazi, siç
është mbrojtja e barabartë kundër të gjitha formave të diskriminimit për të gëzuar të
gjitha të drejtat e njeriut, duke përfshirë edhe barazinë e plotë ndërmjet grave dhe burrave. Solidariteti tregon të drejtat ekonomike dhe sociale, si të drejtën për sigurim
social, shpërblim (pagë) të drejtë, një standard të mirë për jetesë, shëndet dhe qasje në
arsim, të cilat janë pjesë përbërëse të strukturës së të drejtave të njeriut. Këto të drejta
janë të sistemuara në pesë kapituj; të drejtat politike, civile, ekonomike, sociale dhe
kulturore dhe janë të definuara juridikisht në dy Pakte paralele, të cilat së bashku me
Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, krijojnë Ligjin mbi të Drejtat e Njeriut.
>> Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në pikëpamje të dinjitetit dhe të të
drejtave. Ata ... duhet të sillen ndaj njëri- tjetrit në frymën vëllazërore.<<
NENI 1 I DEKLARATËS UNIVERSALE PËR TË DREJTAT E NJERIUT.

“Të gjitha të drejtat e njeriut për të gjithë” ishte parulla e Konferencës Botërore për të
Drejtat e Njeriut në Vjenë, të vitit 1993. Të drejtat e njeriut, janë ato që u japin fuqi
individëve dhe bashkësive të kërkojnë transformimin e plotë të shoqërisë në drejtim të
realizimit të plotë të të gjitha të drejtave të njeriut. Konfliktet duhet të zgjidhen me mjete
paqësore, duke u bazuar në sundimin e ligjit dhe në strukturën e të drejtave të njeriut.
Sidoqoftë, të drejtat e njeriut mund të ngatërrohen mes vete; ato kufizohen nga të drejtat
dhe liritë e të tjerëve ose nga kërkesat morale, publike, ose të rendit publik dhe
mirëqenies së përgjithshme të një shoqërie deomokratike (Neni 29 i UDHR). Të drejtat e
të tjerëve, jo vetëm që duhet të tolerohen, por edhe duhet të respektohen. Të drejtat e
njeriut nuk mund të përdoren për shkeljen e të drejtave njerëzore të të tjerëve (Neni 30
UDHR); kështu që, edhe pse në disa situata të jashtëzakonshme dhe raste ekstreme,
mund të vihen disa kufizime, të gjitha konfliktet duhet të zgjidhen në frymën e të drejtave
të njeriut.
>>Asnjë shprehje e kohës së fundit të historisë njerëzore nuk ka qenë më e privilegjuar
për të bartur misionin dhe barrën e së ardhmes njerëzore sesa [shprehja] >të drejtat e
njeriut<. . . – nocioni i të drejtave të njeriut është dhuntia më e mirë e mendimit njerëzor
klasik dhe bashkëkohor. Në të vërtetë, në këtë kohë të historisë, gjuha e të drejtave të
njeriut, (është) në disponim tonë më shumë se çfarëdo gjuhe tjetër morale. . .<<.
NGA “PADREJTËSITË ÇNJERËZORE DHE TË DREJTAT E NJERIUT” – PROF.
UPENDRA BAXI
Prandaj, çdokush - gratë, burrat, të rinjtë dhe fëmijët duhet t’i dijnë dhe kuptojnë të
drejtat e tyre njerëzore, që janë të rëndësishme për interesat dhe qëllimet e tyre. Kjo
mund të arrihet përmes arsimimit dhe mësimit për të drejtat e njeriut, arsimim ky që
mund të jetë zyrtar, jozyrtar ose joformal. Kuptimi i parimeve dhe procedurave të të
drejtave të njeriut, ua mundëson njerëzve të marrin pjesë në vendimet që përcaktojnë
jetën e tyre, të punojnë drejt zgjidhjes së konflikteve dhe ruajtjes së paqes të bazuar në të
drejtat e njeriut, e cila është një strategji frytdhënëse e bazuar në interesat e popullit për
zhvillim njerëzor, social dhe ekonomik.

Arsimimin për të drejta të njeriut duhet ta bëjnë të gjitha palët ose pjesëmarrësit, shoqëria
civile, sikurse edhe qeveritë dhe kompanitë transnacionale. Përmes njohurive për të
drejtat e njeriut, mund të zhvillohet vërtet një “kulturë mbi të drejtat e njeriut”, e bazuar
në respektimin, mbrojtjen, përmbushjen, zbatimin dhe praktikimin e të drejtave të njeriut.
E drejta për arsimim për të drejtat e njeriut mund të nxirret nga Neni 26 i UDHR-së, sipas
të cilit “çdokush ka të drejtën për arsimim . . . Arsimimi duhet të orientohet drejt
zhvillimit të plotë të personalitetit të njeriut dhe forcimit të respektimit të të drejtave dhe
lirive themelore të njeriut . . .”.
>>Arsimimi, mësimi dhe dialogu për të drejtat e njeriut duhet të nxisin brenda strukturës
së të drejtave të njeriut mendim kritik dhe analizë sistematike me perspektivë në interesat
poliitke, civile, ekonomike, sociale dhe kulturore. <<
SHULAMITH KOENIG, PDHRE (LËVIZJA POPULLORE PËR ARSIMIM PËR TË
DREJTAT E NJERIUT)

>>Arsimimi për të drejtat e njeriut nënkupton tërësinë e mësimit që zhvillon njohuri,
aftësi dhe vlera për të drejtat e njeriut, i cili përkrah paanshmërinë, tolerancën, dinjitetin
dhe respektin për të drejtat dhe dinjitetin e të tjerëve.<<
NANCY FLOWERS, QENDRA PËR TË DREJTAT E NJERIUT E UNIVERSITETIT
TË MINESOTËS.

Resoluta 49/184, e 23 dhjetorit 1994, e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të
Bashkuara, duke proklamuar Dekadën e OKB-së për Arsimim për të Drejtat e Njeriut,
flet për procesin e mësimit të përhershëm dhe gjithëpërfshirës, ndërsa Plani Veprues i Dekadës së OKB-së për Arsimim në fushë të të Drejtave të Njeriut 1995-2004, jep
definicionin e detajuar për Arsimimin për të Drejtat e Njeriut dhe elaboron përmbajtjen
dhe metodikën e mësimit (UN Doc. A/51/506, Add. 1 of 12 December 1996).
Rezoluta 49/184 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e 23 dhjetorit
1994, duke shpallur Dekadën e OKB-së për HRE (Arsimim për të Drejtat e Njeriut )
thekson: “shkollimi mbi të drejtat e njeriut duhet të përfshijë më tepër se vetëm pjesën
informative dhe duhet të jetë proces i përhershëm dhe gjithëpërfshirës në të cilin njerëzit
e të gjitha niveleve të zhvillimit dhe shtresave të shoqërisë mësojnë për respektin ndaj
dinjitetit të të tjerëve, si dhe për mjetet dhe metodat e sigurimit të atij respekti në të gjitha
shoqëritë.”

Plani Veprues i Dekadës së Kombeve të Bashkuara për Arsimim mbi të Drejtat e Njeriut
(1995-2004), thekson: . . . shkollimi për të drejtat e njeriut duhet definuar si trajnim,
shpërndarje dhe përpjekje për informim, përmes transmetimit të diturisë dhe aftësive, me
qëllim të ndërtimit të kulturës universale për të drejtat e njeriut, si dhe krijimit të sjelljeve
në drejtim të:
(a) Forcimit të respektimit për të drejtat dhe liritë fundamentale të njeriut;
(b) Zhvillimit të plotë të personalitetit të njeriut dhe kuptimit të dinjitetit të tij;
(c) Proklamimit të kuptimit, tolerancës, barazisë gjinore, miqësisë mes gjitha
kombeve, popujve vendës dhe grupeve racore, kombëtare, etnike, fetare dhe
gjuhësore;
Në deklaratën e Dekadës së OKB-së për Arsimim për të Drejtat e Njeriut (1995-2004), të
Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, thuhet se duhet kërkuar: “edhe
kuptimet më të gjera të të gjitha normave, koncepteve dhe vlerave të mbrojtura nga
Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut”. Shtytësi kryesor pas kësaj iniciative ka
qenë Shulamith Konig (Shulamith Koenig), themeluesja e Dekadës Popullore për
Arsimim për të Drejtat e Njeriut (PDHRE), e cila ka për qëllim hiç më pak sesa vizionin
afatgjatë për mundësinë që çdo individ i planetit tonë të ketë qasje në të drejtat e njeriut,
“që njerëzit t’i dijnë dhe t’i kërkojnë ato”. Prandaj, qëllimi i arsimimit për të drejtat e njeriut është “shkollim i të gjithëve për të drejtat e njeriut”. Ose, sipas fjalëve të Nelson
Mandelës: të “ndërtohet një kulturë e re politike e bazuar në të drejtat e njeriut”.
Për metodat e arsimimit për të drejtat e njeriut Vërejtjet e Përgjithshme për
Metodologjinë e Arsimimit për të Drejtat e Njeriut.

B. TË DREJTAT E NJERIUT DHE SIGURIA NJERËZORE
Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, është hartuar si rezultat i shkeljeve më
serioze të dinjitetit njerëzor, e veaçanërisht pas përvojës së Holokaustit gjatë Luftës së
Dytë Botërore. Përqendrimi kryesor i saj është qenia njerëzore, kurse preambula e saj i
referohet “lirisë nga frika dhe skamja”. Një qasje e ngjashme është e pranishme edhe te
koncepti i sigurisë njerëzore.
>>Shumica e kërcënimeve kundër sigurisë njerëzore nxjerrin në pah drejtpërdrejt ose
tërthorzi dimensionin e të drejtave të njeriut.<<
TAKIMI I DYTË MINISTROR I RRJETIT PËR SIGURI NJERËZORE NË
LUCERN, MAJ 2000.

Gjatë Takimit Punues Ndërkombëtar për Siguri Njerëzore dhe Arsimim mbi të Drejtat e
Njeriut, në korrik të vitit 2000 në Grac, është theksuar se siguria njerëzore ka për qëllim
që përmes parandalimit të konflikteve dhe adresimit të hollësishëm të shkaqeve të
pasigurisë dhe nënshtrimit t’i mbrojë të drejtat e njeriut. Strategjia e sigurisë njerëzore ka
për qëllim krijimin e kulturës politike globale të bazuar në të drejtat e njeriut. Në këtë
kontekst, arsimimi për të drejtat e njeriut paraqet një strategji në drejtim të realizimit të
sigurisë njerëzore, pasi që i mëson njerëzit që zgjidhjet e problemeve të tyre t’i kërkojnë
para së gjithash në bazat e sistemit të vlerave të përgjithshme globale, të mbështetura në
sundimin e ligjit dhe në të drejtën, e jo duke u bazuar në pushtet. Siguria njerëzore
promovohet nëpër shoqëri në formë të decentralizuar, duke filluar nga nevojat themelore
të njerëzve, si ato të grave ashtu edhe të burrave, që do të thotë se fillohet nga problemet
e sigurisë personale, varfërisë, diskriminimit, drejtësisë sociale dhe demokracisë. Liria
nga eksploatimi ose korrupsioni fillon vetëm atëherë kur njerëzit nuk pranojnë, që të
drejtat e tyre të shkilen edhe më tutje. Institucionet e shoqërisë civile (sikuse Transparenca Ndërkombëtare), përkrahin procesin e tillë të emancipimit, të bazuar në
njohuritë mbi të drejtat e njeriut.
>>Të drejtat e njeriut ofrojnë bazën e nevojshme mbi të cilën do të vazhdohej zhvillimi
njerëzor dhe siguria njerëzore.<<
TAKIMI I KATËRT MINISTROR I RRJETIT TË SIGURISË NJERËZORE NË
SANTIGO DE CHILE, KORRIK 2002.

Ekzistojnë disa lidhje ndërmjet të drejtave të njeriut dhe sigurisë njerëzore.
“Siguria” në formë të sigurisë personale (si p.sh. mbrojtja nga arrestimi arbitrar), sigurisë
sociale (si p.sh. sigurimi i nevojave themelore sikurse ushqimi) dhe sigurisë
ndërkombëtare (sikurse e drejta për të jetuar në një rend ndërkombëtar të sigurt),
përputhet me të drejtat ekzistuese të njeriut. “Politikat e sigursë duhet të integrohen më
shumë me strategjitë për promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe zhvillimit.
Të drejtat e njeriut, e drejta humanitare dhe e drejta e refugjatëve ofrojnë kornizën
normative mbi të cilën bazohet qasja e sigurisë njerëzore.” (Siguria Njerëzore: Siguria e
Njerëzve në Botën e Ndryshueshme, Departamenti i Marrëdhënieve të Jashtme dhe
Tregtisë Ndërkombëtare, Kanada 1999).

Cenimet e të drejtave të njeriut paraqesin kërcënime për sigurinë njerëzore, prandaj
përdoren si indikatorë në kuadër të mekanizmave për paralajmërim të hershëm, me qëllim
të parandalimit të konflikteve. Sidoqoftë, të drejtat e njeriut gjithashtu luanë rol gjatë
periudhës së pasluftës, për menaxhimin dhe transformimin e konflikteve, si dhe pë
ndërtimin e paqes. Përmes transferit të dijes, ndërtimit të aftësive dhe formësimit të
sjelljeve, arsimimi në fushën e të drejtave të njeriut përbën bazën e kulturës së vërtetë të
parandalimit.

Përveç që të drejtat e njeriut janë një instrument esencial për parandalimin e konfliktit,
ato janë gjithashtu bërthamë e konceptit të ndërtimit të qeverisjes dhe demokracisë.
Gjithashtu, ato ofrojnë bazë që përmes pjesëmarrjes aktive, ngritjes së transparencës dhe
ngritjes së përgjegjësisë, të bëjnë trajtimin e problemeve shoqërore dhe globale.
“Ndërtimi i qeverisjes” përbëhet nga dy forma komplementare të ndërtimit të kapacitetve:
“ndërtimit të shtetit” dhe “ndërtimit të shoqërisë”. Ndërtimi i shtetit ofron “siguri demokratike”, që më së miri mund të shihet pas përfundimit të konfliktit në përpjekjet për
rehabilitim dhe rindërtim. “Zhvillimi shoqëror përfshin arsimimin e gjerë për të drejtat e
njeriut, me qëllim të aftësimit të njerëzve për kërkimin e të drejtave të tyre dhe respektim
të të drejtave të të tjerëve” (Walther Lichem, Ministria Federale e Austrisë për
Marrëdhënie të Jashtme).
>>(Siguria Njerëzore) në esencë është një përpjekje për ndërtimin e shoqërisë globale, ku
siguria e individit është në qendër të prioriteteve ndërkombëtare ...; ku standardet
ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë avancuar dhe janë
ndërtuar në një rrjet koherent për mbrojtjen e individit . . .<<
LLOYD AXWORTHY, ISH MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME TË KANADASË

Komisioni për Siguri Njerëzore, i themeluar në vitin 2001, nën bashkudhëheqjen e
Sadako Ogata-s (ish- Komesare e lartë e OKB-së për Refugjatë) dhe Amartya Sen
(fituese e çmimit Nobel për Ekonomi) dhe në bashkëpunim me Institutin Interamerikan
për të Drejtat e Njeriut, mbajtën një takim pune në dhjetor të vitit 2001, në San Jose të
Kosta Rikës, lidhur me raportet mes të Drejtave të Njeriut dhe Sigurisë Njerëzore, ku
ishte elaboruar mbi temën “Deklarata për të Drejtat e Njeriut si Komponentë e
Domosdoshme e Sigurisë Njerëzore” (http://www.humansecurity-
chs.org/doc/sanjosedec.html). Sipas Bertrand G. Ramcharan, Ndihmës i Sekretarit të
Përgjithshëm të OKB-së dhe Zëvendës i Komesarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut,
normat ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut janë ato që e përcaktojnë kuptimin e
sigurisë njerëzore.
>>Bota asnjëherë nuk do të jetë në paqe, nëse njerëzit nuk gëzojnë sigurinë njerëzore
gjatë përditshmërisë së tyre.<<
RAPORTI PËR ZHVILLIM NJERËZOR, UNDP 1994

Neni 3 i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (UDHR) dhe Neni 9 i Paktit
Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, gjithashtu, mbrojnë të drejtën e lirisë dhe
sigurisë perosnale, të cilat në veçanti i referohen lirisë nga frika. Përveç këtyre, neni 22 i
UDHR dhe neni 9 i Paktik Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe
Kulturore, njohin të drejtën për sigurim social, e cila së bashku me të drejtat e tjera
sociale përputhen me lirinë nga skamja. Raporti mes globalizimit dhe sigurisë njerëzore është shqyrtuar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan, në Raportin e
Mileniumit të 2000-të, i cili gjithashtu, bën dallimin mes lirisë nga frika dhe lirisë nga
skamja, dallim i cili kthehet prapa te katër liritë e proklamuara gjatë Luftës së Dytë
Botërore në vitin 1940, nga presidenti i SHBA-ve Ruzvelt (Roosevelt), si vizion i tij për
rendin e vendosur pas përfundimit të luftës. Lufta kundër varfërisë dhe ajo për të drejtat
ekonomike, sociale dhe kulturore është po aq e rëndësishme për siguri, sa edhe lufta për
liri politike dhe liri fundamentale. Sidoqoftë, njëra nuk mund të veçohet nga tjetra, ato
janë të varura në mënyrë të ndërsjellë dhe janë të pandashme.

Siguria njerëzore paraqet mundësinë për gëzimin e rezultateve të zhvillimit njerëzor. Në
bazë të Raportit të Zhvillimin Njerëzor të UNDP-së, të vitit 2000, ashtu si të drejtat e
njeriut, edhe zhvillimi njerëzor, kanë vizionet dhe qëllimet e njëjta. Treguesit për
Zhvillim Njerëzor, i cili përdoret në raportet e UNDP-së për zhvillim njerëzor, përmbajnë
disa indikatorë, siç janë, qasja në arsimim, sigurimi i ushqimit, shërbimet shëndetësore,
barazia gjinore dhe participimi politik, të cilat përputhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me
të drejtat e njeriut. “Raporti mbi Zhvillimin Njerëzor”, që është duke u elaboruar nën
kryesimin e Andrew Mack-ut, është përqendruar në kërcënimet e sigurisë njerëzore.
Arrihet në përfundimin se, konceptet e sigurisë njerëzore, të të drejtave të njeriut dhe
zhvillimit njerëzor janë të ndërlidhura ngushtë dhe përforcohen në mënyrë reciproke.
C. HISTORIA DHE FILOZOFIA E TË DREJTAVE TË NJERIUT
Ideja për dinjitetin njerëzor, është po aq e vjetër sa edhe vetë historia e njerëzimit, e cila
në kulturat dhe religjionet e ndryshme, shfaqet në forma të ndryshme. Për shembull, në
filozofinë afrikane “ubuntu”, dhe te mbrojtja e të huajve në islamizëm, njeriut i
akordohen vlera shumë të larta. “Rregulla e artë”, sipas të cilës njeriu duhet t’i trajtojë të
tjerët ashtu siç dëshiron ta trajtojnë vetë atë, ekziston në të gjitha religjionet kryesore. E
njëjta rregull vlen edhe lidhur me përgjegjësitë e shoqërisë për përkujdesjen ndaj të
varfërve të tij dhe për nocionet fundamentale të drejtësisë sociale.

Sidoqoftë, ideja për “të drejtat e njeriut” është rezultat i mendimit filozofik të kohës
moderne, e bazuar në filozofinë e racionalizmit dhe iluminizmit, pastaj liberalizmit,
demokracisë, por edhe të socializmit. Edhe pse koncepti modern për të drejtat e njeriut rrjedh kryesisht nga Evropa, do theksuar se nocionet e lirisë dhe drejtësisë sociale, të cilat
janë fundamentale për të drejtat e njeriu, janë pjesë e të gjitha kulturave. Kombet e
Bashkuara nën udhëheqjen e Ellenor Ruzvelltit (Eleanor Roosevelt), Rene Kasë (Rene
Cassain) dhe Xhozef Malikut (Joseph Malik), zhvilluan Deklaratën Universale për të
Drejtat e Njeriut, në të cilën kanë punuar 80 njerëz nga Veriu dhe Jugu për të
konkretizuar idetë dhe gjuhën. Nën ndikimin e Lindjes dhe Jugut, të drejtat e njeriut si
koncepti mbi të drejtat ekonomike, sociale, kulturore, të drejtën për vetëvendosje dhe
zhvillim, si dhe lirinë nga diskriminimi racor dhe aparteidi, janë shndërruar në koncept të
gjithëmbarshëm botëror,.
>>Unë jam qenie njerëzore, sepse sytë e tu më shikojnë si të tillë . . . <<
PROVERB AFRIKAN, MALI

Duke pasur parasysh faktin se, historikisht shtetasit si rezultat i përpjekjeve të tyre për
liri fundamentale, ekonomike dhe të drejta sociale u bënë përfitues të të drejtave të
mbrojtura me kushtetutë, të huajt vetëm në raste të rralla ose vetëm në bazë të ndonjë
marrëveshjeje bilaterale mund të ishin bartës të të drejtave. Ata kishin nevojë për
mbrojtje nga shtetet e tyre, të cilat i përfaqësonin jashtë vendit.

E drejta humanitare ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e rregullave
për mbrojtjen e joshtetasve. Ajo ka synuar vendosjen e rregullave themelore për trajtimin
e ushtarëve armiq, e edhe të civilëve gjatë konfliktit të armatosur. ( Moduli për të
Drejtat e Njeriut gjatë Konflikteve të Armatosura). Fillet e hershme dhe të vërteta të të
drejtave të njeriut mund të gjenden në marrëveshjet mbi liritë e religjionit, si në
Traktatin e Vestfalisë të vitit 1648, ndalimin e skllavërisë, si në rastin e deklaratës së
Kongresit të Vjenës të vitit 1815 mbi tregtinë e skllevërve, themelimin e Shoqatës
Amerikanë Kundër Skllavërisë në vitin 1833, si dhe Konventën Ndërkombëtare Kundër
Skllavërisë të vitit 1926. Gjithashtu, mbrojtja e të drejtave të minoriteteve, ka një histori
të gjatë dhe ka qenë çështje kryesore e Traktatit të Paqes të Versajës, më 1919 dhe Ligës
së Kombeve, që është krijuar po atë vit ( Kronologjia në Pjesën III: Burimet
Plotësuese).
Sido që të jetë, koncepti i të drejtave universale të njeriut, u bë i pranueshëm për të
gjitha qeniet njerëzore vetëm pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, kur nga 48 shtete
u arrit marrëveshja për Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe 8 shtete
socialiste me Afrikën e Jugut abstenuan, dhe që atëherë, ky koncept është bërë
komponentë e pandashme e sistemit të Kombeve të Bashkuara. Që nga ajo kohë numri i
shteteve anëtare në OKB ka arritur në 191, ndërsa kjo deklaratë, e cila sot mund të
konsiderohet si e drejtë zakonore ndërkombëtare, nuk është sfiduar asnjëherë seriozisht
nga këto shtete.

Në këtë kontekst, duhet përmendur, “Deklarata e Kajros për të Drejtat e Njeriut në
Islam” e vitit 1990, hartuar nga Ministrat e Jashtëm të Organizatës së Konferencës
Islamike, e cila nuk është miratuar formalisht asnjëherë. Të gjitha të drejtat e theksuara në
këtë Deklaratë janë në pajtim me Sheriatin Islamik.

>>"(...) Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të pranueshme - të gjithë njerëzit janë të
barabartë; të gjithë janë pajisur nga krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme;
në mesin e të cilave janë jeta, liria dhe e kërkimi i lumturisë. Për të siguruar këto të
drejta, janë themeluar qeveritë, nga pushteti ligjor i të cilave rrjedh pajtimi i të
qeverisurve . . . <<
DEKLARATA AMERIKANE E PAVARËSISË, (1776)

Debati i cili bëhet kohë pas kohe për prioritetin e disa të drejtave dhe universalitetin
kudër relativizmit, është adresuar në dy konferenca botërore për të drejtat e njeriut - në
Konferencën e Teheranit dhe në atë të Vjenës. Në Konferencën e Teheranit më 1968,
është sqaruar se të gjitha të drejtat e njeriut janë të pandashme dhe të varura në mënyrë të
ndërsjellë mes vete, ndërsa në Konferencën e Vjenës të vitit 1993 u arrit pajtueshmëria
me koncensus që: “Deri sa rëndësia e veçorive kombëtare, regjionale si dhe të kaluarat e
ndryshme historike, kulturore dhe fetare duhet të merren parasysh, është obligim i
shteteve, pa marrë parasysh sistemin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor, që të
promovojnë dhe të mbrojnë gjitha të drejtat e njeriut dhe liritë fundamentale”. (paragrafi
5 i Deklaratës se Vjenës dhe Programit të Veprimit të vitit 1993). >>E para është liria e fjalës dhe e shprehjes – në gjithë botën. E dyta është liria e çdo
personi të adhurojë Zotin në mënyrën e vet – në gjithë botën. E treta është liria nga
varfëria – e cila përkthyer në gjuhën botërore do të thotë mirëkuptim ekonomik, i cili do
t’i sigurojë çdo kombi jetë paqësore dhe të shëndoshë për të gjithë pjesëtarët e tij – në
gjithë botën. E katërta është liria nga frika . . . <<
PRESIDENTI ROOSEVELT, KATËR LIRITË (1941)

Sot, një numër shumë i madh i subjekteve ndërkombëtare ndjekin politikën e bazuar në
frikë, duke menduar se do të rrisin sigurinë. Por, siguria e vërtetë duhet bazuar në
parimin tashmë të provuar- atë të të drejtave të njeriut.
SERGIO VIEIRA DE MELLO, KOMESAR I LARTË I KOMBEVE TË
BASHKUARA PËR TË DREJTAT E NJERIUT, 2003
D. KONCEPTI DHE NATYRA E TË DREJTAVE TË NJERIUT
Nga deklarata e miratuar në vitin 1993 gjatë Konferencës Botërore për të Drejtat e Njeriut
në Vjenë, me rastin përvjetorit të 50-të të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut,
si dhe nga rezolutat e miratuara nga Kombet e Bashkuara në vitin 1998, mund të vërehet
se koncepti i të drejtave të njeriut, sot pranohet si një koncept universal. Disa skeptikë që
dyshojnë në universalitetin e të drejtave të njeriut, duhet që ta kujtojnë faktin se shumë
shtete të cilat janë gjeografikisht të kundërta, si Kina, Libani dhe Kili, gjatë pjesës së dytë
të vitit 1940, kanë qenë mes atyre shteteve që kanë ndihmuar në hartimin e konceptit të
tillë. Sidoqoftë, që nga ajo kohë, shumë shtete kanë shprehur përkrahjen e tyre për
Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe kanë ratifikuar Paktin Ndërkombëtar
për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR), si dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat
Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (ICESCR), të cilat bazohen në Deklaratën Universale.
Në rastin e Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave
(CEDAW), me gjithë rezervat e shumta, ajo është ratifikuar nga 177 shtete.

Si pikë fillestare e konceptit të të drejtave të njeriut është koncepti mbi dinjitetin e lindur
dhe të patjetërsueshëm të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, koncept i cili njihet në
Deklaratën Universale dhe Paktet Ndërkombëtare të viteve 1966, të cilat njëkohësisht
njohën edhe idealin e qenieve të lira njerëzore për të gëzuar lirinë nga frika dhe skamja dhe për të qenë të pajisur me të drejta të barabarta dhe të patjetërsueshme. Prandaj, të
drejtat e njeriut janë universale dhe të patjetërsueshme, që do të thotë se aplikohen
gjithkund dhe nuk mund t’i mohohen individit madje edhe nëse ai/ajo pajtohet për këtë.
Ashtu siç ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Butros Butros Gali (Boutros
Boutros-Ghali) në Konferencën Botërore të Vjenës për të Drejtat e Njerut të vitin 1993,
“të drejtat e njeriut janë të drejta të lindura”.

Gjithashtu, të drejtat e njeriut janë të pandashme dhe reciprocikisht të varura. Mund të
veçohen dimensione ose kategori të ndryshe të të drejtave të njeriut, siç janë: të drejtat
civile dhe politike, siç janë liria e fjalës dhe e shprehjes, të drejtat ekonomike, sociale
dhe kulturore, si e drejta në sigurim social, e cila duke pasur parasysh faktin se vendos
obligime financiare mbi shtetin, duhet të “shikohen progresivisht”. Në të kaluarën, një
kategori e caktuar e shteteve ose grupshteteve siç është grupi i shteteve komuniste, kanë
shprehur preferencat e tyre ndaj të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore, në dallim
prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve anëtare të Këshilit të Evropës, të
cilët kanë përkrahur pikërisht të drejtat civile dhe politike. Sidoqoftë, në vitin 1968, gjatë
Konferencës Botërore për të Drejtat e Njeriut në Teheran, dhe në vitin 1993, gjatë
Konferencës Botërore për të Drejtat e Njeriut në Vjenë, ky debat joproduktiv është
adresuar në atë mënyë që, është vendosur se të dy këto kategori ose dimensione të të
drejtave të njeriut kanë rëndësi të barabartë. Në Teheran më 1968, këto të drejta janë
deklaruar si të pandashme dhe reciprocikisht të varura, pasi që gëzimi i plotë i të drejtave
ekonomike, sociale dhe kulturore, vështirë mund të realizohet pa gëzimin e të drejtave
civile e politike dhe vice versa.

Gjatë viteve të 1980-ta është miratuar edhe një kategori plotësuese e të drejtave të njeriut,
ku bëjnë pesë e drejta për paqe, e drejta për zhvillim dhe e drejta për mjedis. Këto të
drejta ofrojnë një kornizë të domosdoshme për gëzimin e gjitha të drejtave tjera.
Sidoqoftë, nuk ekziston ndonjë kushtëzim lidhur me atë se një kategori e caktuar e të
drejtave të njeriut është parakusht për ekzisitimin e kategorisë tjetër. Të drejtat nga kjo
kategori më së miri përkshkruhen si të drejta solidare, sepse kërkojnë bashkëpunim
ndërkombëtar dhe qëllimi i tyre është ndërtimi i solidaritetit.
Deri sa të drejtat e njeriut janë të drejta të të gjithë individëve, pa marrë parasysh se a e
kanë apo jo shtetësinë e një vendi përkatës, të drejtat e shtetasve, siç janë p.sh. e drejta
për të votuar dhe për të qenë i votuar ose e drejta për të pasur qasje në shërbimet publike
të atij vendi, janë të drejta fundamentale që ekskluzivisht u garantohen shtetasve të një
vendi konkret.

Gjithashtu, të drejat e njeriut duhet të dallohen nga të drejtat e minoriteteve, që janë të
drejta të anëtarëve të një grupi me karakteristika të veçanta etnike, fetare ose gjuhësore.
Qoftë individualisht ose në grup, ata kanë të drejtë të gëzojnë kulturën e tyre, të
predikojnë dhe praktikojnë besimin e tyre, dhe të përdorin gjuhën e tyre (Neni 27 i
ICCPR). Lidhur me këtë, rregulla më të hollësishme gjenden në instrumentet rajonale të
Evropës për të drejtat e njeriut.

Një vëmendje e posaçme u është kushtuar të drejtave të popujve autoktonë. Që nga viti
1982, Grupi Punues i OKB-së për Popujt autoktonë shqyrton mënyrat për promovimin
dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, e në veçanti atyre të drejtave që kanë të bëjnë me
marrëdhënien e tyre me tokat.
Tashmë, një Deklaratë për të Drejtat e Popujve Autoktonë është hartuar, por
ende nuk është miratuar, deri sa Organizata Ndërkombëtre e Punës (ILO), duke rishikuar
një deklaratë të mëhershme, në vitin 1989 miratoi Konventën Nr. 169 lidhur me “Popujt
Autoktonë dhe Popujt e Fiseve në Shtetet e Pavarura”. Në vitin 2001, OKB-ja ka emëruar
Raportuesin Special për të drejtat e njeriut dhe liritë fundamentale të popujve autoktonë.
Në vitin 2000, duke marrë parasysh rekomandimin e Konferencës Botërore të Vjenës për
të Drejtat e Njeriut të vitit 1993, është themeluar “Forumi i Përhershëm për Çështjet
Autoktone”, si një autoritet ndihmës i Këshillit Ekonomik dhe Social (ECOSOK), i cili
për herë të parë është mbledhur në vitin 2002. Gjithashtu, Komisioni Afrikan për të
Drejta të Njeriut dhe të Popujve, ka themeluar një Grup Punues për popujt autoktonë.

Sot, koncepti i të drejtave të njeriut është globalisht i pranuar dhe si i tillë shërben si bazë
e bashkësisë ndërkombëtare të shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe lëvizjeve
shoqërore, të cilët e konsiderojnë veten si pjestarë të shoqërisë ndërkombëtare. Siç mund të shihet nga përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, në veçanti në
rastet kur kemi të bëjnë me pranimin e anëtarëve të ri, të drejtat e njeriut, mund të jenë
gjithashtu, mjete të cilat njerëzit mund t’i përdorin si instrumente për transformime
shoqërore, qoftë në nivel kombëtar, qoftë në nivel rajonal. Sidoqoftë, me qëllim që të
drejtat e njeriut të marrin efektin transformues, përdorimi i tyre si instrumente për
ndryshime varet nga njohuria, të kuptuarit dhe gatishmëria e vetë popujve që t’i përdorin
si të tilla.

Koncepti tradicional i të drejtave të njeriut është kritikuar nga feministet me aryetimin se,
nuk reflekton në mënyrë të drejtë barazinë mes grave dhe burrave dhe për mungesën e
trajtimit gjinor. Konferencat Botërore të Grave dhe hartimi i Konventës për Eliminimin e
të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, kanë kontibuar, inter alia, për qasjen e
trajtimit gjinor të të dejtave të grave, gjë që është reflektuar edhe në Deklaratën e OKB-
së Kundër Dhunës ndaj Grave dhe në draftin e protokolit të Kartës Afrikane për të Drejtat
e Njeriut dhe Popujve ( Moduli për të Drejtat e Grave). Është me rëndësi të
theksohet se, instrumentet për të drejtat e njeriut paraqesin një koncept të ri politik dhe
social, të cilat i pranojnë gratë si qenie njerëzore plotësisht të barabarta me të tjerët.

Disa shtete, duke përdorur si argumente ekzistimin e veçorive historike, fetare dhe
kulturore, deklarojnë se të drejtat e njeriut nuk mund të aplikohen ndaj grave në mënyrë
të njëjtë si ndaj të tjerëve. Deklarata dhe Plani Veprues i Konferencës Botërore të Vjenës,
kanë pranuar ekzistimin e qasjeve të ndryshme të bazuara në faktorë historikë, fetarë dhe
kulturor në procesin e jetësimit të të drejtave të njeriut, por në të njëjtën kohë kanë
theksuar obligimin e të gjitha shteteve për implementimin e të gjitha drejtave. Prandaj
ekzistimi i dallimeve kulturore dhe fetare nuk mund të përdoret si arsyetim për
mosimplementimin e plotë të obligimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Kjo
nënkupton se duhet të merret parasysh edhe konteksti kulturor. Dialogu për civilizimet, i
cili aktualisht është duke u zhvilluar në Kombet e Bashkuara, ka për qëllim pikërisht,
pranimin e vlerave pozitive që dalin nga dallimet e civilizimeve, pa ofruar arsyetim për
mospërmbushjen e obligimeve të tyre. Pozita e femrave brenda disa kulturave, është një
nga çështjet më të vështira që duhet të jetë pjesë e çdo agjende të diskutimeve. E. STANDARDET E TË DREJTAVE TË NJERIUT NË NIVEL
UNIVERSAL
Historia aktuale e vënies së standardeve në nivel global ka filluar me Deklaratën
Universale për të Drejtat e Njeriut (UDHR), të miratuar me 10 dhjetor 1948 nga
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, si pasojë e Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës
janë parë shkeljet më të mëdha të të drejtave që kanë ndodhur ndonjëherë. Parandalimi
dhe ndëshkimi i gjenocidit, sikurse ai ndaj hebrenjve, që ka ndodhur gjatë holokaustit,
është objekt i “Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit”, të
miratuar vetëm një ditë më herët se UDHR.

Duke dashur që përkushtimet e theksuara në UDHR të përkthehen në gjuhë të obligimeve
ligjore, Komisioni i OKB-së për të Drejta të Njeriut, hartoi dy Pakte, një për të drejtat
civile dhe politike (ICCPR) dhe një për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore
(ICESCR). Për shkak të Luftës së Ftohtë, ato janë miratuar tek në vitin 1966 dhe pasi që
janë ratifikuar nga 35 shtete, në vitin 1976, kanë hyrë në fuqi. Më 1 Janar të vitit 2003,
këto pakte kanë pasur 149, respektivisht 146 shtete anëtare. Së pari është miratuar
ICESCR si preferencë e shumicës së shteteve të reja socialiste në zhvillim për të drejtat
ekonomike, sociale dhe kulturore.

Gjatë viteve të 60-ta, lufta kundër diskriminimit racor dhe aparteidit, arriti
kulminacionin, që rezultoi me dy konventa: atë kundër diskriminimit racor dhe ndalimin
e krimeve të aparteiditit. Më pas, janë miratuar konventa tjera për eliminimin e të gjitha
formave të diskriminimit kundër gruas, torturës dhe trajtimeve ose dënimeve tjera
mizore, çnjerëzore dhe poshtëruese dhe konventa për të drejtat e fëmijëve. Këto konventa
sqaruan dhe saktësuan më tutje nenet e pakteve, si dhe përqendruan vëmendjen në
nevojat njerëzore të grupeve të caktuara. Në rastin e konventës së grave të vitit 1979,
“problemi i rezervave”, që është problem i përgjithshëm i traktateve mbi të drejtat e
njeriut, përfitoi rëndësi të posaçme, kur një numër i shteteve islamike bënë përpjekje që
në këtë mënyrë të kufizojnë të drejtat elementare të grave.
Shtetet, sipas parimit të mosdiskriminimit, duhet të respektojnë dhe t’u sigurojnë të
gjithë individëve brenda territorit të tyre, të gjitha të drejtat pa asnjë lloj diskriminimi, të
bazuar qoftë në racë, ngjyrë, gjini, gjuhë, religjion, opinion politik ose tjetër, origjinë
kombëtare ose sociale, pronë, lindje ose ndonjë status tjetër (Neni 2 ICCPR dhe
ICESCR). Për më tepër, Protokoli Shtesë Nr. 12 i Konventës Evropiane për të Drejtat e
Njeriut, ofron të drejtën e përgjithshme për mosdiskriminim nga ana e çfarëdo autoriteti
publik.

Sidoqoftë, ekziston mundësia e përjashtimeve dhe e përdorimit të tërheqjes nga
klauzolat. Në rastet e jashtëzakonshme ose të kërcënimit ndaj kombit, nëse gjendja e
jashtëzakonshme shpallet zyrtarisht dhe nëse ndërmerren masa brenda kufijve të
domosdoshëm të situatës së krijuar, shteti mund të tërhiqet nga disa obligime të tij. Masat
e tilla duhet të merren në baza jodiskriminuese (Neni 4 (1) ICCPR). Për këto raste,
ekzistojnë procedura të cila duhet të repsektohet, siç është ajo e njoftimit të shteteve të
tjera anëtare përmes Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë, nuk
lejohet asnjë kufizim nga disa dispozita siç janë ato mbi të drejtën për jetë, ndalimin e
torturës dhe skllavërisë, joretroaktivitetin e veprave penale, lirinë e të menduarit,
ndërgjegjes dhe të besimit (Neni 4 (2) ICCPR), etj. Kështu që, këto të drejta njihen si të
drejta të patjetërsueshme. Këto dispozita emergjente, kanë përfituar një rëndësi më të
madhe në luftën kundër terrorizmit. Dispozita të ngjashme gjenden edhe në Konventën
Evropiane pë të Drejtat e Njeriut (Neni 15). Komisioni i OKB-së për të Drejtat Civile dhe
Politike, në Komentin e Përgjithshëm (Nr. 29, 2001), ka sqaruar detyrimet shtetërore në
rastet e “gjendjes së jashtëzakonshme (Neni 4)”, gjithashtu Komisioni Interamerikan për
të Drejtat e Njeriut dhe Komiteti Drejtues për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës,
kanë miratuar një raport dhe një udhëzim lidhur me “Terrorizmin dhe të Drejtat e
Njeriut”.

Admin
Admin
Admin

Numri i postimeve : 239
Points : 635
Reputation : 0
Join date : 31/08/2010

https://dituriere.albanianforum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi